Buzëqeshja e humbur, pse kemi nevojë për njerëzit që nuk i njohim?

Kujto pak mëngjesin tënd sot. Dole nga dera e shtëpisë, ndoshta vure kufjet në vesh. U ndale tek lokali jot i preferuar dhe porosite kafenë e mëngjesit, e pive, i zgjate lekët kamarierit, bëre një lëvizje të lehtë me kokë në shenjë falënderimi, dhe ike. Gjatë gjithë rrugës, ndoshta kalove përbri dhjetëra njerëzve, por sytë e tu ishin të ngulur te ekrani i telefonit ose tek vetja jote.

Ky është bërë normaliteti ynë i ri.

Ne i ruajmë fjalët, energjinë dhe emocionet tona ekskluzivisht për “njerëzit tanë” rrethin e ngushtë të familjes, fëmijëve apo miqve të vjetër. Të tjerët, kalimtarët, shitësit, fqinjët që takojmë në shkallë, apo prindërit e tjerë që presin te dera e shkollës janë kthyer thjesht në një sfond. Janë një dekor lëvizës i qytetit tonë. Ne mendojmë se duke i shmangur këto biseda të vogla, po kursejmë kohë dhe energji.

Psikologjia sociale zbulon se këtu fshihet një kurth i madh.

Në përpjekjen tonë për t’u mbyllur në një flluskë, ne po e mbingarkojmë rrethin tonë të ngushtë familjar. Presim që bashkëshortja ose fëmija të na ofrojnë çdo lloj përmbushjeje emocionale. Ndërkohë, kemi injoruar një nga burimet më të fuqishme të mirëqenies sonë mendore: ato që sociologët i quajnë “Lidhjet e Dobëta”.

Lidhjet e dobëta janë pikërisht ato ndërveprime të shkurtra dhe sipërfaqësore që kemi me periferinë e jetës sonë. Është biseda dy-minutëshe me shitësin e frutave rreth motit. Është një shaka e shkëmbyer me dikë në radhën e bankës. Është përshëndetja e mëngjesit me rojën e institucionit. Përtej sipërfaqes, këto momente nuk janë humbje kohe; ato janë sinjale jetike për trurin tonë.

Kur ti shkëmben qoftë edhe një buzëqeshje tre-sekondëshe me një njeri jashtë rrethit tënd, truri merr një mesazh qetësues: “Bota jashtë mureve të tua nuk është armiqësore. Ti i përket një komuniteti. Ti je i parë.”

Në epokën e vetë-shërbimit dhe të komunikimit digjital, asnjë aplikacion nuk e zëvendëson dot ndjesinë kur dikush në lagje të thotë: “Mirëmëngjes, si zakonisht kafenë sot?”. Nuk kemi nevojë të bëhemi miq të ngushtë me gjithë qytetin për të qenë të lumtur. Por kemi nevojë dëshpërimisht të heqim kufjet ndonjëherë, të ngremë sytë dhe ta njohim ekzistencën e tjetrit.

Sepse shpesh, ditët tona më të vështira nuk shpëtohen nga një bisedë e thellë e rëndë, por nga një gjest i vogël, i ngrohtë dhe i papritur nga dikush që as ia dimë emrin.

error: Content is protected !!